Studentja e Kolegjit Dardania, kandidate për Doktoraturë në Japoni

Studentja e Kolegjit Dardania, kandidate për Doktoraturë në Japoni

Studentja e Kolegjit Dardania Arbenita Sopaj e cila ka përfunduar me sukses studimet në programin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane, është duke vazhduar studimet e Doktoraturës në Kobe University në Japoni. Përgjatë studimeve, Arbenita ishte një studente e dalluar duke marrë pjesë edhe në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Më pas, ajo vazhdoj studimet Master në Poloni dhe Japoni, dhe tani është duke vazhduar me studimet e Doktoraturës në Japoni. Në vijim mund të lexoni një intervistë të shkurtër të dhënë nga Arbenita për studentët e Kolegjit Dardania.

Arbenita Sopaj – Photo GPAJ, Tokyo

Çfarë ju ka shtyrë të zgjedhni Kolegjin Dardania për të studiuar?

Arbenita Sopaj: Arsyeja primare që unë vendosa për të studiuar në Kolegjin Dardania në vitin akademik 2012/13, ishte programi studimor unik në nivelin Bachelor Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane. Po ashtu, arsyje tjetër ishte edhe kredibiliteti dhe performanca e suksesshme e Kolegjit Dardania ndër vite, si dhe profesorët eminent që ligjërojnë në Kolegjin Dardania.

A mund të na flisni për eksperiencën tuaj gjatë studimeve në Kolegjin Dardania?

Arbenita Sopaj: Përveç ligjeratave, ushtrimeve, punës praktike, ligjeratave të hapura nga profesorë ndërkombëtarë, si dhe aktiviteteve tjera gjatë studimeve, unë gjeta edhe përkrahje akademike dhe financiare nga Kolegji Dardania që më mundësoi realizimin e ideve të mia në arenën ndërkombëtare, siç ishte edhe përfaqësimi dhe pjesëmarrja në konferencën “Model Court of Justice” e mbajtur në Ankara të Turqisë në vitin 2015. Eksperienca e arritur përgjatë studimeve të mia dhe pjesëmarrja në konferenca të ndryshme, mua më kanë ndihmuar që të arrij suksesin që e gëzoj sot duke qenë pjesëmarrëse dhe udhëheqëse e konferencave të ndryshme ndërkombëtare.

Sa ju kanë ndihmuar studimet në Kolegjin Dardania për të vazhduar suksesin tuaj të mëtutjeshëm?

Arbenita Sopaj: Studimet në Kolegjin Dardania mua më kanë ndihmuar si në aspektin akademik ashtu edhe në atë moral. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të stafit akademik dhe stafit administrativ, dhe po ashtu falë bashkëpunimit me kolegët përgjatë studimeve të cilët e bënë më produktive periudhën tre vjeçare të studimeve. Diplomimi në Programin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane e ka bërë jashtëzakonisht të lehtë vazhdimin e studimeve në nivelin Master në Universitetin Jagiellonia të Polonisë si dhe në Kobe University në Japoni, ku jam duke kryer studimet e Doktoratës (PhD). Vazhdimi i studimeve jashtë vendit kërkonte çertifikimin e njohjes së gjuhës angleze, por unë nuk hasa ndonjë vështirësi në këtë proces falë diplomës së Kolegjit Dardania e cila njihet ndërkombëtarisht dhe në këtë rast nga dy universitetet e lartpërmendura.

A mund të na flisni më shumë për rrugëtimin tuaj akademik/profesional pas përfundimeve të studimeve në Kolegjin Dardania?

Arbenita Sopaj: Pas përfundimit të studimeve në Kolegjin Dardania, vazhdova studimet në nivelin Master në Jagiellonski University në Poloni. Pas një viti të studimeve në Poloni, unë aplikova edhe për programin e njohur EU-Japan Multidisciplinary Master Program ku isha e vetmja studente që u përzgjodha për të ndjekur degën e dytë Master pranë Kobe University. Përderisa merrja pjesë në udhëheqjen e konferencave të ndryshme ndërkombëtare, vitin e kaluar fillova studimet e doktoratës pranë Kobe University ku edhe jam Asistente Ligjëruese. Përveç karrierës universitare, këtë vit ju bashkangjita organizatës “Këshillit Akademik të Kombeve të Bashkuara” në pozitën e Asistentës me seli në Tokjo. Pjesë të karrierës së tanishme janë edhe publikimet e artikujeve shkencorë si dhe recensimi i librave akademik.

Cili është mesazhi i juaj për maturantët dhe studentët e Kolegjit Dardania?

Arbenita Sopaj: Kolegji Dardania ju ofron mundësi të shumta për të treguar sukses në jetën akademike dhe profesionale nëse jeni të palëkundur në realizimin e qëllimeve të juaja. Mundohuni që të shfrytëzoni mundësinë për të studiuar në Kolegjin Dardania që posedon një infrastrukturë moderne për studime, si dhe të përfitoni njohuri akademike nga stafi i përzgjedhur akademik i kolegjit. Ndiqni ëndrrat dhe mos u dorëzoni asnjëhere, pa marrë parasysh sfidat që mund t’i hasni përgjatë studimeve. Çdo këshillë dhe kritikë nga profesorët e Kolegjit, shndërrojeni në suksesin tuaj!

Arbenita, ne ju falenderojmë për këtë intervistë dhe theksojmë që gjithë stafi akademik, administrativ si dhe studentët e Kolegjit Dardania ndihemi krenar për sukseset tuaja. Po ashtu, ne ju urojmë suksese të mëtutjeshme në botën akademike.

Arbenita Sopaj: Ju faleminderit juve për intervistën dhe përkrahjen e vazhdueshme. Gjithë të mirat!

Close Menu
en_USEN
sqSQ en_USEN