Gjuhë angleze dhe studime amerikane

Programi në nivelin Bachelor Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane në përgjithësi ka për qëllim aftësimin e studentëve për ushtrimin e profesionit të ardhshëm. Me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, gjuha angleze është bërë gjuhë e parë komunikimi; rrjedhimisht njohja e gjuhës angleze dhe kulturës anglo amerikane të diplomuarve në këtë program do t'iu  krijojë  mundësi më të mëdha për integrim në tregun e punës si dhe një rang të gjerë të opcioneve për edukim të mëtutjeshëm.

Studimet në Programin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane në nivelin Bachelor zgjasin gjashtë semestra dhe brenda tij janë harmonizuar tri fusha kyçe studimesh: Gjuha dhe komunikimi, letërsia, dhe kultura e qytetërimi anglez dhe amerikan.

Këto fusha pastaj zbërthehen në lëndët e veçanta që zhvillojnë dhe thellojnë shkathtësitë gjuhësore të studentëve si dhe shkathësitë e tyre akadmike, në mënyrë që të rrisin profesionalizmin në gjuhën e tyre, e cila do t'i aftësojnë për komunikim të rrjedhshëm në qarqet akademike dhe joakademike dhe të përballojnë sfidat që mund ti hasin në tregun e punës dhe në shoqëri në përgjithësi.

Përveç aspektit pragmatik, studentët e këtij drejtimi do të pajisen edhe me njohuri të thelluara për nivele të ndryshme të sistemit gjuhësor të gjuhës angleze përmes lëndëve: gramatikë e gjuhës angleze, fonetikë, morfologji, sintaksë, leksikologji. Tërësia e studimeve të letërsisë ofrohet përmes lëndëve që paraqesin periudhat më të rëndësishme letrare: Renesanca, Neoklasicizmi, Romantizmi, Letërsia Vikoriane, Letërsia Moderne Angleze dhe Amerikane, duke i shtuar edhe komponentin e Qytetërimit Anglez dhe Amerikan, që shtjellohet si lëndë e veçantë.

Si lëndë e veçantë Qytetërimi Anglez dhe Amerikan është një lëndë interdiciplinare që studion kulturën dhe përvojën angleze dhe amerikane në gjithë diversitetin e tyre. Nëpërmjet të një paraqitje mjaf të pasur të këtij kursi, tek studentët promovohet të kuptuarit dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore të këtyre vendeve dhe zhvillimi social me vëmendje tek narracionet e shumëllojshme të së kaluarës angleze dhe amerikane.

Modulet e letërsisë angleze dhe amerikane iu lejojnë studentëve të eksplorojnë relacionin në mes të letërsive dhe kulturave angleze dhe amerikane. Modulet plotësojnë njëra-tjetrën me një përzierje nxitëse të letërsisë. Kulturës dhe historisë angleze dhe asaj amerikane.

Lëndët zgjedhore në kuadër të Programit Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane synojnë të ofrojnë njohuri dhe shkathtësi shtesë dhe të zgjerojnë spektrin e dijes së studentëve. Përmes tyre studentët do të pajisen me njohuri dhe shkathtësi në fusha më të ngushta profesionale sipas nevojave dhe afiniteteve të tyre, siç janë: përkthimi (teori dhe praktikë e përkthimit, përkthim joletrar, përkthimi letrar, përkthimi konsekutiv e simultan), përdorimi i gjuhës për komunikim për qëllime specifike (anglishtja për qëllime akademike, anglishtja për biznes, anglishtja për qëllime juridike etj.,).

Në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur të jenë në hap dhe të ballafaqohen me kërkesat bashkëkohore, ky program iu ofron studentëve modulet e gjuhës shqipe, si dhe gjuhëve të huaja (Gjermane, Frenge) me qëllim të zgjerimit të njohurive të tyre gjuhësore, dhe zotësinë e tyre për tu bërë konkurrent në tregun e punës.

Pas përfundimit të suksesshëm të këtij programi studentët do të jenë në gjendje:

  • të komunikojnë rrjedhshëm dhe me përpikëri në nivel të avancuar si me shkrim ashtu edhe me gojë me folësit burimorë dhe joburimorë të gjuhës angleze;
  • të dëshmojnë njohuri të nivelit të lartë të sistemit gjuhësor dhe aftësi për aplikim të njohurive të tyre në praktikë në forma dhe nivele të ndryshme komunikimit publik;
  • të përkthejnë tekste tipash të ndryshëm, si të shkruara ashtu edhe të folura, si dhe të ndërmjetësojnë për ta lehtësuar komunikimin mes palëve anglishtfolëse dhe joanglishtfolëse;
  • të dëshmojnë nivel të lartë të njohurive për ngjashmëritë dhe dallimet kulturore që kanë të bëjnë me kulturën dhe letërsinë angleze dhe amerikane, dhe të ndërmjetësojnë për lehtësimin e komunikimit ndërkulturor.

Qëllimi përfundimtar i studimeve deri-diplomike në Programin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane është përgatitja e kuadrove për të marrë titullin Bachelor i Gjuhës Angleze dhe Studimeve Amerikane.  Për të fituar titullin Bachelor Gjuhës Angleze dhe Studimeve Amerikane, studenti duhet të akumulojë 180 pikë kredite, dhe të përfundojë provimet e parapara me planin dhe programin studimor. Studimet përfundojnë me mbrojtjen publike të punimit të diplomës para komisionit. 

Pas përfundimit të suksesshëm të studimeve, të diplomuarit në Programin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane do të kenë një rang të gjerë të mundësive për punësim. Ata do të mund të punësohen në organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, administratë publike, kompani të ndryshme publike e private që ushtrojnë veprimtari ekonomike, ndërmarrje tregtare e shërbyese, që kanë raporte transnacionale ose klientë ndërkombëtarë. Ata mund të punojnë në një lloj-llojshmëri të gjerë të pozitave ku kërkohet qoftë komunikimi në gjuhë angleze, qoftë ndërmjetësimi me qëllim lehtësimi të komunikimit mes palëve anglishtfolëse dhe joanglishtfolëse.

Diploma Bachelor i Gjuhës Angleze dhe Studimeve Amerikane u mundëson studentëve të diplomuar në këtë drejtim vazhdimin e ngritjes akademike dhe profesionale dhe të drejtën e regjistrimit në studimet e nivelit Master.