Historiati

Kolegji Dardania, i licencuar nga ana e Ministrisë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kosovës sipas Çertifikatës 898/02-1 të datës 01.12.2004 për vitet akademike 2004/2007 dhe Vendimit për licencim nr.583/02-1 të datës 09.05.2007 për vitet akademike 2007/2008-2010/2011 është themeluar në vitin 2004 nga z.Ismet Gashi.

Në vitin 2008, pas themelimit të Agjencionit për Akreditim të Kosovës, institucioni ynë iu nënshtrua vlerësimit nga ana e ekspertëve ndërkombëtar së bashku me zyrtarët e Agjensionit të Akreditimit Kosovar , gjithashtu edhe në vitin 2009, 2010 e cila rezultoi me akreditimin e Institucionit tonë si dhe me akreditimin e programeve të reja studimore.

Themeluesi i Kolegjit DARDANIA (emri i së cilit vjen nga mbretëria e lashtë e Dardanisë, e cila mbulonte territorin e Kosovës së sotme), kishte angazhuar një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të tij material dhe financiar, jo me destinacion profitin, por me qëllim të dhënies kontribut në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, sepse Universiteti i Prishtinës si i vetmi institucion për arsim të lartë nuk ishte në gjendje të ofronte qasje e as cilësi për të përmbushur të gjitha kërkesat e shoqërisë kosovare në fushën e arsimit si dhe të integrimit të saj në rajon dhe Evropë.

Që në vitin e parë akademik të studimeve Kolegji Dardania, në atë kohë Instituti për Studime Bashkëkohore, organizoi studime në nivelin themelor (bachelor) dhe atë pasuniversitar (master), sipas Sistemit të Bolonjës. Organizimi i studimeve në këto dy nivele ishte një sfidë për themeluesin e Kolegji DARDANIA, por e përballuar me sukses si nga personeli akademik ashtu edhe ai administrativ.

Kolegji Dardania qysh në vitin 2004 kishte siguruar të gjitha kushtet optimale dhe kuadrin e nevojshëm për implementimin e të gjitha programeve studimore të cilat i ofronte sipas kushteve të Licencës të lëshuar nga ana e MASHT-it. Një pjesë e madhe e personelit sigurohej, pos tjerash, edhe përmes memorandumeve e marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë në vend dhe regjion.