Politikat për zhvillim të stafit akademik

-

Personeli mësimdhënës dhe hulumtues në Kolegjin “Dardania” ka kualifikim të lartë në nivel doktorature të fituara jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij.
Ata e organizojnë procesin e mësimdhënies në harmoni të plotë me qasjet më moderne interaktive në ambiente të ndryshme të studimit.
Relacioni student – mësimdhënës në kolegjin tonë është optimal dhe sipas standardeve të kërkuara arsimore, gjë që na lejon të arrijmë një mësimnxënie të lartë nga ana e studentëve.

POLITIKA PËR ZHVILLIMIN E METEJMË TË PERSONELIT AKADEMIK

Potenciali i personelit dhe zhvillimi i tij permanent paraqet njërin nga prioritetet kryesore të KD dhe njëkohësisht forcën motorike për realizimin e qëllimeve të tij. Kjo bëhët edhe me e rëndësishme në kohën e zhvillimit  të hovshëm brenda një periudhe relativisht të shkurtë siç është rasti me Institucionin tonë. Meqë çështja e personelit mësimor-shkencor është shumë komplekse, asaj me çdo kusht duhet qasur në mënyrë sistematike dhe me një prespektivë afatmesme. Prandaj në zhvillimin e qëndrueshëm të potencialit të personelit akademik ne insistojmë të bëjmë:

  • Përgatitja e një projekti të veqantë për një analizë të mirefilltë të gjendjës aktuale në kontekst të numrit dhe specifikave që i ka personeli mësimdhënës i Kolegjit,
  • Krijimi i një projekt-plani për dinamikën e angazhimit të kuadrove të reja në Kolegj, duke e përfshirë këtu rekrutimin e tyre si nga burime të brendshme ashtu edhe nga burime të jashtme,
  • Gjetje e mundësive që ligjëruesit e Kolegjit të dërgohën për specializime në universitete të dalluara jashtë vendit,
  • Shqyrtim i mundësive për të angazhuar një numër të konsiderueshëm të profesorëve-vizitorë në Kolegj. 

Kur është në pyetje tërheqja e kuadrove të reja që në fillim duhet potencuar se Kolegji “Dardania”, me Statutin dhe aktet tjera normative ka definuar shumë qartë kriteret për tërheqjen dhe përzgjedhjen për punë të personelit akademik në frymën e Ligjit mbi Arsimin e Lartë të Kosovës.

Ka shpallur e mban të hapur konkursin për aplikim të kuadrove të nevojshme për programet studimore që ka, Kolegji “Dardania”  si institucion privat i arsimit të lartë ka liri që vetë të përcaktojë nevojat për kuadro të reja dhe më pas duke u nisur nga mundësitë financiare të bëjë angazhimin e tyre, nënkuptohet duke i respektuar kornizat ligjore eksistuese.

Mësimdhënësit e angazhuar në Kolegjin “Dardania”  dëshmojnë përkushtim të theksuar për kryerjen sa më me sukses të detyrave të veta në mësimdhënie, në konsultime dhe në udhëzimin e përditshëm të studentëve tanë. 

Në politikat për zhvillimin e mëtejmë të personelit, Kolegji “Dardania” ka hartuar një koncept dhe një plan veprimi për shkollimin e mëtejmë dhe avansimin e personelit. Ky plan parasheh disa strategji dhe masa konkrete për trajtimin e kësaj çështjeje thelbësore për funksionimin me sukses të institucionit tonë:

  • Kolegji “Dardania” është i orientuar në drejtim të angazhimit të kuadrove të reja në cilësi të asistentëve të rinj dhe në zhvillimin e tyre qoftë në kuadër të programeve akademike të institucionit tonë ose përmes ofrimit të përkrahjes për ngritjern e tyre akademike në institucione tjera. Kjo formë duket të jetë zgjidhja më e mirë në planin afatgjatë, sidomos duke e marë parasysh interesin e madh të studentëve të dalluar që pas diplomimit të angazhohen në procesin e mësimdhënies. Në këtë kuptim, KD ka ndarë një fond për bursa për asistentët e ri, studime master pa pagesë për studentët e shkëlqyeshëm, njëkohësisht të angazhuar në detyra të ndryshme në Kolegjin “Dardania”, lirim i disa asistentëve nga disa obligime për t’u lejuar më shumë kohë për studime, përkrahjen me tekste mësimore, etj.
  • Në ndërkohë, ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me universitete të ndryshme në vend dhe në rajon, në të cilat, pos tjerash, parashihet edhe shkëmbimi i personelit mësimdhënës. Në këtë mënyrë, gjatë viteve të fundit në universitetin tonë kanë ligjëruar 11 mësimdhënës nga Shqipëria, Austria, Maqedonia, Bullgaria, Izraeli, Italia, Hungaria etj. Vlerësimet e rregullta të mësimdhënësve të bëra nga studentët tanë kanë treguar se një zgjidhje e tillë ka qenë më se e qëlluar. Në këtë kontekst kemi gjetur se mësimdhënësit nga Shqipëria e rajoni kanë një numër përparësishë, si gjuha e komunikimit, përshtatja e mirë me metodat moderne të mësimdhënies të zbatuara në Kolegjin “Dardania”, komunikimi dhe bashkëpunimi i mirë me studentët, etj.; në të njëjtën kohë edhe mësimdhënësit e huaj nga Evropa e më gjerë kanë ndikuar në qasjen më serioze të studentëve, komunikimi në gjuhën angleze ka rritur atraktivitetin e orës dhe kërkesën për përdorim të teksteve në gjuhë të huaja, kanë treguar kuptueshmëri më të mirë të rrjedhave dhe objektivave të Bolonjës, kanë shtuar diversitetin e përvojave e të qasjeve në studime e në qasjen hulumtuese, etj. 
  • Po ashtu është punuar për avansimin e shkathtësive të mësimdhënies dhe të ngritjes profesionale të personelit qoftë përmes kurseve në fushën e metodologjisë së mësimdhënies në Kolegjin “Dardania”  ose duke përkrahur pjesëmarrjen e tyre në konferenca, simpoziume e ngjarje të tjera shkencore në vend ose në rajon e në Evropë . Kjo ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë, formës dhe të përmbajtjes së proceseve studimore në Kolegjin “Dardania”.
  • Një rëndësi e veçantë në suaza të politikës kadrovike të Kolegjit “Dardania” i kushtohet çështjes së stimulimit financiar. Në fakt KD ka ndërtuar një sistem mjaft funksional sipas së cilit përcaktohen nivelet e pagesave për grupe të caktuara të të punësuarve në varëshmëri nga performanca, angazhimet që kanë, grada shkencore dhe thirja mësimore.
  • Zgjidhje të tjera të planifikuara dhe të zbatuara kanë qenë: organizimi i mësimdhënësve më cilësor nga radhët e mësimdhënësve të pensionuar nga Universiteti publik i Prishtinës, sigurimi i ligjëruesve mysafirë për një ligjëratë ose për cikël ligjëratash, angazhimi i mësimdhënësve me marrëdhënie jo të rregullt pune, etj.  

Kualiteti i personelit arsimor në Kolegjin “Dardania” realizohet  me zgjedhjen e tij publike, me krijimin e kushteve për ngritjen e tij të vazhdueshme si dhe me kontrollimin e punës së tij në procesin mësimor.

Qasjet e këtilla kanë bërë që në institucionin tonë të angazhohen me përkushtim (në marrëdhënie të rregullt ose jo të rregullt) emrat më eminentë kosovarë për fushat e studimit të organizuara në Kolegjin tonë.

Vlerësimet e bëra nga studentët, komentet që na kanë ardhur nga institucionet ku është kryer puna praktike, shkalla e punësimit të të diplomuarve tanë dhe sidomos performanca dhe suksesi i studentëve tanë në studime janë tregues të rëndësishëm se nuk kemi gabuar në zgjedhjet që kemi bërë në fushën e personelit mësimdhënës.  

Krahas personelit me marrëdhënie të plotë,  personeli mësimdhënës me marrëdhënie jo të rregullt pune është pjesë e rëndësishme e Kolegjit “Dardania”. Zyra e Burimeve njerëzore e Kolegjit “Dardania” i përditëson informacionet për angazhimet e mësimdhënësve me qëllim që të shoh se a janë në gjendje që me përkushtim t’i kryejnë detyrat që marrin përsipër në kuadër të kushteve të kontratave të veta, por edhe për të arritur standardet e larta të performancës të kërkuara nga Kolegji “Dardania”. 

Kolegji “Dardania” ka ndërtuar skema dhe qasje të ndryshme për motivimin material, moral dhe psikologjik të personelit akademik që të kryejë detyrat e marra përsipër.